Abdixhiku: Kurti si Don Kishoti, po krijon veç kundërshtarë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka krahasuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti figurën letrare të Don Kishotit, i cili, sipas tij, po krijon veç kundërshtarë.
“Sikurse Don Kishoti i Miguel de Cervantes edhe Albin Kurti i LVV-së zgjohet çdo mëngjes në një botë që e ka krijuar vetë dhe në atë botë Albin Kurti i LVV-së sheh dhe krijon veç kundërshtarë”.
Ai akuzoi Kurtin se po ndërton armiq imagjinarë për t’i mbuluar dështimet në ekonomi, në politikën e jashtme dhe në skandalet e korrupsionit.
“Kundërshtarët e tij janë gjithkah, në Parlament, në Prokurori, në gjykata, në media. Në vend se të merret me realitetin e vendit – me ekonominë e rënduar, me izolimin, me skandalet korruptive – ai zgjedh të luftojë ‘mullinjtë e erës’. Asnjë problem real i qytetarëve nuk është prioritet i tij”, deklaroi Abdixhiku.
Lideri i LDK-së ka thënë se qasja e Kurtit është e shkëputur nga interesat e vendit dhe se, sipas tij, ai funksionon politikisht vetëm përmes tensioneve dhe përplasjeve.
Ai tha se LVV-ja humbi 15 ditë kohë, pasi nuk ka vota për Qeverinë e Konjufcës, duke e cilësuar këtë seancë si “shfaqje teatrale”.